Një banesë në Bujanoc
E Mart 02 Shkurt 2010 00:00
Sonntag, 3. Januar 2010 um 17:52 Si po ngarendin shqiptarët pas pasaportave biometrike të Republikës së Serbisë? Enver Robelli 1. Nata e zhurmës Për të kuptuar gjendjen shpirtërore të një populli ndoshta duhet vëzhguar se si ky popull i shënon festat e ndryshme. Më 31 dhjetor sheshet e shumë qyteteve kosovare u përngjanin arenave të luftës. Mjete shpërthyese të të gjitha llojeve, fishekzjarrë dhe petardë, hidheshin e digjeshin në tokë e ajër, derisa tregtarët e barutit bënin pazarin e vitit. Në mesnatë terrori i zhurmës arriti kulmin dhe herë-herë zgjonte kujtime për fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe 10 vjet më parë. Shumë pyetje mund të shtrohen lidhur me „mënyrën kosovare“ të festimit të Vitit të Ri. Çfarë i shtyn prindërit që fëmijëve të tyre t’u blejnë petardë dhe fishekzjarrë në vend të ndonjë dhurate tjetër, për shembull një libër? Çfarë vlerash morale dhe etike mësojnë fëmijët nëse ata për Vitin e Ri kënaqësinë e vetme e gjejnë në hedhjen e petardëve para këmbëve të kalimtarëve? Pse ky popull ka aq shumë dëshirë të dëgjojë këtë nivel të lartë të zhurmës, këtë ndotje të veshëve? Një ndër shpjegimet e mundshme është gjendja e rëndë ekonomike, sociale dhe shpirtërore e pjesës më të madhe të shoqërisë. Zhvendosja e vëmendjes përmes zhurmës duket të jetë një ndër mundësitë për t’i ikur realitetit të zymtë. Njerëzit në Kosovë jetojnë keq, por për këtë gjendje nuk janë të vetëdijshëm as ata që merrem me politikë dhe as gazetarët, të cilët jetojnë në Kullën e tyre të Fildishtë në Prishtinë dhe s’e marrin mundin të dalin në terren. Siç e ka thënë një dijetar italian, mjeti më i rëndësishëm i një gazetari për të kuptuar realitetin nuk është lapsi, por këmbët e tij. 2. Pema e temave Çdo shëtitje nëpër Kosovë mund të shndërrohet në një fushatë për vjeljen e temave. Sa i përket temave gazetareske Kosova është një pemë e madhe me shumë fruta të pjekura, të freskëta dhe të helmuara. Për shembull vjen në Gjilan dhe mëson se në mileun kriminal ka ndodhur një vrasje, e cila kalon dimensionin e delikteve të zakonshme. Mediat në Prishtinë nuk raportojnë për këtë, korrespodentët rajonalë vazhdojnë të merrem kryesisht me tema protokollare. Tema tjetër, që ndërlidhet me krizën e rëndë sociale, ekonomike dhe shpirtërore të njerëzve, ka të bëjë me ngarendjen e shqiptarëve pas pasaportave biometrike serbe. Ky trend është aktual jo vetëm në rajonin e Anamoravës. Siç dihet Serbia para rreth një viti ka filluar të lëshojë pasaporta biometrike si parakusht për liberalizimin e vizave për vendet e Schengenit. Në dhjetor Bashkimi Evropian vendosi të heq regjimin e vizave për shtetasit serbë. Njëkohësisht BE ka bërë të qartë se ky liberalizim nuk vlen për banorët e Kosovës. Ata, qoftë serbë, romë apo shqiptarë, mund të pajisen me pasaporta biometrike vetëm në Beograd. Me këto pasaporta qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë pa vizë Schengeni, sepse në to shkruan se janë lëshuar nga drejtoria koordinuese e qeverisë së Serbisë për, siç thuhet, “Kosovë e Metohi”. 3. Gjetja e rrugës Autoritetet serbe i kanë premtuar BE-së se do të bëjnë gjithçka të mundshme që banorët e Kosovës të mos pajisen me pasaporta të rregullta biometrike, por vetëm me dokumente të lëshuara nga drejtoria koordinuese e lartpërmendur. Përkundër kësaj barriere burokratike shqiptarët po gjejnë mundësi për t’u pajisur me pasaporta të rregullta biometrike të Republikës së Serbisë. Javëve të fundit qindra shqiptarë nga Gjilani janë paraqitur si banorë të përhershëm në Luginën e Preshevës, disa prej tyre janë me origjinë nga ky rajon, të tjerët janë kosovarë. Jo pak prej tyre kanë marrë banesa me qira në Bujanoc apo Preshevë dhe kanë dorëzuar kërkesat për pasaportë biometrike. Meqë procedurat për të marrë një pasaportë serbe janë ashpërsuar, tani policia kur pranon një kërkesë të një shqiptari shpesh shkon në adresën e tij për të verifikuar vendbanimin. Nëse paraqitësi i kërkesës nuk jeton aty, atëherë nuk mund të pajiset me pasaportë. Kështu thotë teoria. Në praktikë puna rregullohet kështu: merrni një banesë në Bujanoc, dorëzoni kërkesën për pasaportë dhe jepni ryshfet policëve, të cilët janë të ngarkuar me verifikimin e vendbanimeve. Pastaj ata edhe nëse nuk ju gjejnë në adresën/banesën që e keni deklaruar, prapëseprapë do të shënojnë në dokument se ju jetoni në Bujanoc. 4. Metoda të tjera Ka edhe metoda të tjera për të siguruar një pasaportë biometrike të Serbisë. Për shembull përmes lidhjeve me policë dhe zyrtarë të tjerë serbë. Këto lidhje ekzistojnë prej vitesh, sepse që nga përfundimi i luftës mijëra shqiptarë nga Kosova janë pajisur me pasaporta serbe në Nish, Vranjë, Kragujevc, Kralevë etj. Ka raste kur shqiptarë të Kosovës së fundi janë pajisur me pasaportë biometrike serbe në Nish, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar. Kush pyet për ndalesa, shqiptarët duan të udhëtojnë, jo si turistë, por prej zorit të zi, në kërkim të punës në Evropë ose në kërkim të nuseve me letra, në rastin ekstrem shpëtimi vjen edhe nga martesa me ndonjë plakë të vetmuar në Zvicër apo Gjermani. Kur të pajisen të gjithë banorët e Kosovës me pasaporta biometrike të Serbisë, BE mund të arsyetohet se nuk ka më nevojë të hiqen vizat për kosovarë. Deri këtu dhe më larg mund të shkojë absurdi. Copyright: E.R. & "Koha ditore", Prishtinë
Aktualizimi i fundit ( E Mart 02 Shkurt 2010 14:42 )
 

Add comment


Security code
Refresh