|
Në fshatin Raincë, në ambientet e shkollës fillore „Zenel Hajdini“, është mbajtur dje takim i mërgatës së fshatit. Nën moton „Mërgimtarët takohen në Raincë“, ky manifestim kishte për qëllim nxitjen e komunikimit dhe bashkëpunimit në radhë të parë mes mërgimtarëve dhe mes përfaqësuesve relevant të fshatit. Nevojën për bashkëpunim dhe ndihmë në sfera të ndryshme shtruan gjithë të ftuarit special, të cilët mbajtën një fjalë rasti në fillim të programit festiv.

Organizatore e këtij manifestimi ishte shoqata „Rainca“, e cila ofroj një program modest kulturo-artistik. Shoqata „Rainca“ u themelua këtë vit me 23 Maj në Cyrih të Zvicrës, e cila i bashkon gjithë mërgimtarët kudo që jetojnë me një qëllim për përmirësimin e mirëqenies në vendlindje.

Mysafirë special ishin Profesor Rexhep Abazi, kryetari i shoqatës „Medvegja“ në Fully të Zvicrës Zenel Neziri, si dhe Medvegja.net e përfaqësuar nga Burim Uka. Këtë manifestim të mërgimtarëve në një fjalë rasti nderuan Prof. Rexhep Abazi dhe Zenel Nezirin, të cilët vlerësuan lartë themelimin e shoqatës „Rainca“ dhe kontributin e mërgatës së fshatit për vendlindjen. Rexhep Abazi e quajti mërgatën „ambasadore të kulturës dhe traditës shqiptare në vendet e ndryshme ku ata jetojnë“.

Madhështinë këtij manifestimi ia shtoi grupi kulturo-artistik nga Presheva i udhëhequr nga Hekuran Rexhepi. Këngët popullore nga këto treva i dhanë një jehonë të madhe manifestimit të mërgimtarëve. Pas këngëve patriotike të kushtuar çlirimtarëve të „Luginës së Preshevës“ patën të gjithë rastin, që në një koktej rasti të kontaktojnë dhe të shkëmbejnë ide bashkëpunimi për të ardhmen.
Shoqata „Rainca“ ka marrë si nisëm, që manifestimet e tilla ti organizoj edhe verat tjera me një program edhe më të gjerë kulturo artistik.
Përgatiti: Muhamet Ilazi
|