Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) dënon ashpër veprimet vandale
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) dënon ashpër veprimet vandale, respektivisht vënien e zjarrit në objektin e xhamisë shqiptare të Flumsit në Kantonin e St. Gallenit, ku vjen në shprehje përdhosja e një objekti fetar qoftë ai islam apo edhe i besimeve të tjera.
UISHZ ka besim të plotë në organet e rendit dhe sigurisë së shtetit zviceran se shumë shpejtë do ta zbardhin rastin dhe se aktorët e këtij akti të papranueshëm do ti nxjerrë para drejtësisë.
UISHZ që kur mori lajmin për këtë akt vandal ishte në kontakt të vazhdueshëm me imamin e xhamisë, Irfan ef. Musliu, duke i lërë hapësirë kryesisë së xhamisë dhe imamit të tyre fillimisht të prononcohen pa mos ndërhyrë në asnjë mënyrë e cila do ta dëmtonte procesin e hetimit dhe zbardhjes së rastit.
UISHZ këshillon dhe porosit të gjithë aktorët e jetës fetare dhe politike që assesi të mos e keqpërdorin rastin për përfitime të ulëta ideologjike e politike, sepse duam të besojmë që ky akt vandal të jetë një delikt rrugaçësh i izoluar që nuk kanë ngjyrë politike, fetare apo racore, duke besuar çdo herë në vlerat e multikulturalizmit dhe multikonfesionalizmit të garantuara në kushtetutën e shtetit zviceran.
Xhamia e Flumsit njihet si një qendër shqiptare islame e cila në vazhdimësi zhvillon raporte të mira me qytetarët zviceranë, organet e rendit dhe përfaqësuesit e besimeve të ndryshme e në veçanti me ata të besimit krishter dhe ne porosisim që akoma më tepër ta thellojnë bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë në fushat me interes të përbashkët për bashkëjetesën dhe në dobi të shoqërisë.
Përfaqesuesi i UISHZ-së, njeherazi i angazhuar për komunikim me mediet, Bekim ef. Alimi është duke e përcjellë situatën me vëmendje në vendngjarrje. (uais.ch)
Kryetar i UISHZ
Nehat Ismaili